Cilësia e hapësirave ku jetojmë dhe ndërveprojme pa dyshim, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilesinë e jetës që kemi dhe si pasojë në shëndetin tonë. Disa hapësira na bëjne të ndihemi mirë dhe plot jetë duke na motivuar, ndërkohë që hapësira të tjera ndikojnë me krejt të kundërtën, duke krijuar shpesh herë gjendje vetmie apo dobësie. Hapësirat urbane, lagjet dhe rrugët ku ndërveprojmë, ndertësat ku banojmë, të gjitha kanë një ndikim ne gjëndjen tonë emocionale, në sjellje, zakone dhe në perceptimet psikologjike. Kjo dhe si pasojë e lidhjes emocionale të krijuar ne menyre intuitive me hapësirat bazuar në kujtime dhe informacione të marrë nga mjedisi nëpërmjet shqisave. Por cilësia e projektimit të ketyre hapësirave apo godinave në nivel zgjidhjesh funksionale dhe materiale, nuk janë të vetmet që ndikojnë ne rehatinë dhe shëndetin tonë. Sipas hulumtimit të fundit të prezantuar gjatë Kongresit Virtual të Akademisë Evropiane të Neurologjisë (EAN), një rritje në nivelet e ndotjes dhe stresit në zonat urbane, ndikon në rritjen e rrezikut të sklerozës së shumëfishtë me 29%. Deri në vitin 2030, më shumë se 80% e popullsisë Evropiane pritet të jetojë në zona urbane , duke bërë që qytetet të kenë një rol kryesor në promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit publik dhe mirëqenies sociale e psikologjike.
“Ne formojmë ndërtesat tona; më pas ato na formojnë ne ”. – Winston Churchill
Arkitektët dhe planifikuesit urbanë kanë qenë përgjegjës për vite me rradhë për të hartuar zgjidhje për hapesirat ku ne jetojme. Sot, ndërsa ne zhvillohemi në të kuptuarit te trupave tane dhe mënyrës së funksionimit të tyre, ne bëhemi më të vetëdijshëm për aspektet e tjera të jetës sonë, duke përfshirë jeten emocionale, sjelljet, e aspektin psikologjik. Një plan urbanistik ose ndërtesë, tani dhe në të ardhmen nuk duhet të përmbushë vetëm aspektin e tij fizik, duke zgjidhur një problem të funksionalitetit, por të mbulojë aspektin psikologjik dhe emocional të njerëzve që e përdorin atë. Hapësirat e së ardhmes do të jenë hapësira të vetëdijshme duke shkrirë së bashku zgjidhjet krijuese ndër-sektoriale të ardhura nga neuroshkencëtarët, arkitektët, planifikuesit urbane, terapitë mjedisore, psikologët, shkencëtarët e sjelljes dhe planifikuesit e komunitetit.
Neuroarkitektura përfaqëson një shkrirje dhe ndërthurje midis neuroshkencës, psikologjisë dhe arkitekturës, qëllimi i së cilës është të na tregojë sesi perceptojmë, imagjinojmë, interpretojmë dhe reagojmë ndaj ndërtesave, për të ndihmuar në krijimin e mjediseve dhe hapësirave që mund të përmiresojë sjelljen, shëndetin dhe mirëqenien e njeriut dhe shoqerisë në tërësi. Një disiplinë që studion përgjigjet e ndryshme të prodhuara nga truri ynë gjatë pranisë sonë në një mjedis apo hapësirë të caktuar. Këto përgjigje nervore mund të ndryshojnë drejtpërdrejt gjëndjen emocionale dhe sjelljen e përdoruesve në çdo hapësirë, si në planin afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Neuroarkitektura si fushë kërkimore i ka fillesat prej viteve 1970, kur u hodhën hipotezat e para të hulumtimit të psikologjisë së mjedisit dhe hapësirës si dhe projektimit të bazuar në praktika (evidence-based design) në vitet 1980, i cili vitet e fundit ka gjetur përdorim në projektimin e spitaleve dhe disa godinave shkollore.
“Truri është kështjella e shqisave; kjo drejton parimin e të menduarit.” – Plini i Urti
Në NeuroArkitekturë, teknologji të tilla si Realiteti Virtual (VR), kërkimet shkencore dhe apartaturat teknologjike sensoriale bashkohen për të matur rrahjet e zemrës së një personi, temperaturën e trupit, valët e trurit, lëvizjen e syve dhe “zgjimin”. Metodologjitë kerkimore më të perhapura ndërthurin analizën e një sere parametrash te tjerë si,: 1) stimujt e trurit (në zonat e trurit që janë aktive gjatë periudhës që përdoruesi është në mjedis); 2) përgjigjet e prodhuara nga truri në atë mjedis; 3) shenjat vitale që ndryshojnë në mjedis (për shembull, rrahjet e zemrës, presioni i gjakut) etj. Në një periudhë afatgjatë, planifikimi urban dhe zgjidhjet funksionale, ndikojnë në zakonet dhe shëndetin tonë, i cili dokumentohet nepermjet monitorimit te ecurisë shendetsore të popullatës ndër vite. Këto të dhëna i vijnë në ndihmë arkitektëve dhe planifikuesve urban, të cilët mund të ndërtojnë hapësira që kontribuojnë në shëndetin e banorëve dhe qytetarëve.
NeuroArktura ndihmon mjekët të thellojnë punën e tyre në të kuptuarit të natyrës neurologjike të sjelljes njerëzore dhe ndërlidhjen me amjentin përreth, si dhe arkitektët të projektojnë ndërtesa dhe hapësira që do të kenë një efekt më pozitiv në gjendjen shpirtërore dhe shqisat tona, dhe përfundimisht në mirëqenien tonë. Përmes të kuptuarit se si marrëdhënia jonë me hapësirën na ndikon, ne jemi në gjendje të marrim njohuri se si të projektojmë hapësirat, por gjithashtu të mundesojmë që hapësirat të zhvillohen me kalimin e kohës për t’u bërë më të përqendruara tek njerëzit. Projektimi i qyteteve duhet t’i bëjë njerëzit të ndjehen të kënaqur dhe t’u japë atyre një ndjenjë të përkatësisë: Me vende publike dhe parqe ku njerëzit bashkohen, ku ata ndihen të mirëpritur dhe rehati, duke forcuar kështu kohezionin shoqëror.
Gjate konferences se ANFA në vitit 2016, Holl shfaqi një nga akuarelet e tij, në të cilën ai përshkruante trupin e njeriut si një ishull në një det të quajtur mjedis, me trurin e vizatuar si një strukturë në ishull, dhe mendjen si një zonë brenda kësaj strukture.
Kërkimet neuroshkencore paraqesin nje mundësi të re në projektimin e hapesirave për personavet me aftësi të kufizuara dhe nevoja te vecanta. Cilësitë akustike dhe taktike të një mjedisi, të hartuara përmes materialeve të kujdesshme dhe zgjedhjeve hapësinore, mund të ndihmojnë ketë tipologji njerëzish të lëvizin, ndërveprojne dhe përjetojnë ambjentet pa kufizim. Jo vetëm që një dizajn i tillë rrit përvojën e secilit në një ndërtesë; gjithashtu sfidon mënyrat vizuale në të cilat ne shpesh konceptojmë dhe projektojmë ndërtesat. Tipologji projektimi, si hapësirat e riedukimit priten gjithashtu të ndryshojnë, nëpërmjet neuroarkitektures këto objekte nuk do të projektohen si hapesira të ndëshkimit, por si hapësira të sherimit dhe ndërveprimit social të fokusuar në sjelljen dhe të menduarin njerëzor.
Në një botë e cila po zhvillohet përditë, ku teknologjia po zë një vënd të rëndësishem në jetët tona, ndërlidhja njerëzore me hapësirat e ndërtuara është gjithashtu duke ndryshuar. Arkitektë, urbaniste, mjek dhe neuroshkencëtare të nderlidhur nga shkenca duhet të ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve më të forta midis qyteteve dhe banorëve të tyre duke krijuar dhe frymëzuar produktivitet dhe zakone për një jetë të shendetshme.